ku-je-

Acka Flutura – Ku je?

€18.00

ISBN: 9789994351886
Publisher: Skanderbeg Books
Publication Year: 2012
Number of Pages: 461

Esaurito

Categoria: .

Descrizione prodotto

Janë vitet ’80 të shekullit XX në Skampis, një qytet shqiptar i kohës së diktaturës. Ira Gjoni, një vajzë shumë e re, jeton në Qytezë, një lokalitet pranë Skampisit, e detyruar nga një “liri” e çuditshme që ia jep një sëmundje e rëndë, të lëvizë nëpër Shqipëri në kërkim të shërimit dhe të zbulimit të pikëpyetjeve të familjes së saj të shkokluar nga fati.
Ajo është e bija e një ish – pushtetareje të lartë, e rrëzuar për shkak të një gabimi “politik”. Një tjetër vajzë, Klara Daiu, një aktore e talentuar dhe e suksesshme, është e detyruar të ndjekë të njëjtin rrugëtim, për arsye të përafërta. Ajo është bartëse e një dashurie të pamundur që bëhet thelbi i jetës së saj.
Një skulptor me ide të çuditshme vegjeton në qytet në kërkim të identitetit të tij krijues. Ai është ithtar i Anarkisë dhe i grishjes substanciale të lirisë dhe petku i artistit të parealizuar dhe të diktuar do ta shqetësojë shpesh. Karakteret e këtij romani takohen mes tyre dhe nëpër rastësi ngrejnë jetën njerëzore me një të përditshme të gjallë mes absurdit dhe tragjedisë.
“Ku je?” është një sagë e diktaturës që përfshin gati një qytet të tërë, e rrëfyer nga një prej dëshmitareve të asaj kohe. Nga dritaret e fëmijërisë së dikurshme, që përtej kureshtjes e ndihmuan të skanonte kohën në të cilën rritej, autorja sjell një fiction plot ngjarje, jetë, dramë, komedi, dhimbje, dhunë, dashuri dhe ethe padurimi, nëpër spirale rrënqethëse mes jetës dhe vdekjes. Ky roman është një klithmë e fuqishme për lirinë dhe dashurinë.
Flutura Açka (Elbasan, 1966) është poete, shkrimtare dhe botuese. U diplomua për Statistikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës më 1988 dhe për Gjuhë – Letërsi në 2001 në Universitetin e Elbasanit. Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë.
Flutura Açka është shumë e njohur me poezinë dhe prozën e saj. Në vitin 1997 ajo mori çmimin ndërkombëtar “Lira e Strugës” në Netët e Poezisë Strugane ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite. Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë europianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli – Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë.
Romani i saj i parë “Vetmi gruaje” është përkthyer dhe botuar në vitin 2006 në gjuhën bullgare në një seri me shtatë autorë bashkëkohorë nga Ballkani. Në vitin 2009 mori çmimin “Serembe” për prozën me romanin “Kryqi i harresës”. Flutura Açka e ndan jetën e saj mes Tiranës dhe Utrechtit, Holandë.